Në deklaratë thuhet se, në mbledhjen e paradites së sotme, u relatuan kërkesat ankimore të subjekteve politike Partia Socialiste, Partia Demokratike dhe Partia Bashkimi Popullor i Pensionistëve Shqiptarë, të cilat ashtu sikundër e parashikon dhe Kodi Zgjedhor, pasi u pranuan për shqyrtim, u bashkuan dhe u lanë për diskutim në mbledhjen e ditës së Hënë, më 30 Maj, ora 09:30. Kjo pasi më datë 26 Maj, Partia Socialiste, depozitoi në KQZ dy kërkesa ankimore, ku kërkesa e parë ka për objekt kundërshtimin e vendimit të KQZ, lidhur me miratimin e tabelës së KZAZ-së Nr. 49, që i përket Njësisë Bashkiake Nr. 5, ku kërkohet pavlefshmëria e vendimeve të marra nga KQZ, për ndryshimin e tabelave të rezultateve të Qendrave të Votimit të kësaj njësie. Lidhur me kërkesën e dytë të socialistëve KQZ, sqaron se, ajo kundërshton vendimin e KQZ-së “Për nxjerrjen e rezultatit të votimit për kryetar për Zonën Zgjedhore Bashkia Tiranë”’, nën argumentat se ai është marrë në shkelje flagrante të ligjit dhe në tejkalim të kompetencave të KQZ-së. Edhe Partia Demokratike depozitoi në KQZ kërkesën ankimore, e cila kundërshtonte gjithashtu vendimin për kryebashkiakun, me arsyetimin se, në rezultat duhej të përfshiheshin të gjitha votat e kontestuara në procesin e numërimit dhe vlerësimit fillestar të votave të hedhura për kandidat për kryetar të bashkisë Tiranë. Ndërkaq deklarata e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve thekson se ai aktualisht vazhdon punën për shpalljen e mandateve për këshillat bashkiakë dhe komunalë, të dalë nga zgjedhjet e 8 Majit.


