Pasditen e sotme, ky institucion do të nisë diskutimin më të nxehtë për rinumërimin e 9 kutive në Fier, kur dihet se socialistët e kanë kushtëzuar me këtë pikë njohjen e zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit. PS-ja pretendon se nga mosnumërimi i këtyre kutive i është mohuar mandati i 9-të i deputetit, të cilin e ka humbur për 34 vota. Nga ana tjetër, mbledhja e djeshme e KQZ-së është karakterizuar sërish nga tonet e larta të debatit. Gjithçka nisi pas shqetësimit të ngritur nga përfaqësuesi ligjor i PD-së, Njazi Kosovrasti, lidhur me tabelat e KZAZ-së nr. 37 të Qarkut Lezhë, në të cilat nuk ishin përfshirë rezultatet e 11 qendrave të votimit. Sipas tij, shkak për këtë është bërë refuzimi i komisionerëve të PS-së në këtë KZAZ për të zbatuar ligjin. “Refuzimi i përfaqësuesve të PS-së për hedhjen në tabelën përmbyllëse të rezultateve të qarkut Lezhë të 11 QV-ve, është një qëndrim i jashtëligjshëm dhe i qëllimshëm i komisionerëve socialistë, për të cilin ne kemi gati kërkesën ankimore”, – tha Kosovrasti. Ai shtoi se “zhurma e PS-së për Fierin ka ndodhur në përmasa më të mëdha në qarkun e Lezhës”. Nga ana e tyre, përfaqësues të PS-së në KQZ theksuan se shkeljet e ligjit në rastin e Qarkut të Fierit janë më të rënda se ato të Lezhës. Nënkryetarja e KQZ-së, Dëshira Subashi, kërkoi që Komisioni të përfshijë me vendimmarrjen e tij 11 QV-të në tabelat e rezultateve të Lezhës. Sipas rezultateve paraprake të KQZ-së, në qarkun e Lezhës, koalicioni “Aleanca e ndryshimit” fitoi 4 mandate, ndërsa koalicioni “Bashkimi për ndryshim” 3 mandate.