Tiranë – KQZ rishqyrton sot listën e kandidatëve për deputetë të PS

Kjo listë u kthye mbrapsht nga anëtarët e KQZ-së ditën e shtunë, me argumentin se nuk plotësohet kushti i përfaqësimit brënda saj të nivelit 30% të grave dhe kjo gjë vihej re kryesisht tek qarku i Lezhës. Ndërkaq, fundjava i ka shërbyer Partisë Socialiste për ta korrigjuar listën dhe të mundësojë kalimin e saj me çdo kusht ditën e sotme në mbledhjen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Sipas kodit zgjedhor, megjithë kohën e dhënë në dispozicion ndaj partive për korrigjime në lista, rregullimet duhen bërë dhe paraqitur në KQZ jo më vonë se 32 ditë nga data e zgjedhjeve. Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve sqaron se kthimi mbrapsht për listat nuk ka patur asnjë motivim politik, por ai është kryer për të gjitha partitë të cilat nuk kanë plotësuar standardet e vendosura nga kodi zgjedhor për to, e njëri prej tyre ka qenë edhe ai i përfaqësimit të femrave në listat e kandidatëve në nivelin ptej 30 %. Sipas të dhënave, gjatë mbledhjeve të javës së kaluar, KQZ ka kthyer mbrapsht listat e 12 partive politike si LZHK, PDK, PBK, PS, etj.

Advertisement