Fondi i vënë në dispozicion nga buxheti i shtetit partive politike për zgjedhjet e 23 qershorit do të kapë shifrën e 189 milionë lekëve, nga 200 milionë që ishte miratuar më parë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. “Është një gabim në referencë në fondin total, i cili nuk është 200 milionë lekë, por 189 milionë. Ne bëmë një rillogaritje dhe ka një rënie nga fondi për çdo parti. Ne po e fusim sërish vendimin me një ndryshim, dhe kjo do të sjellë ndryshime dhe në shpërndarjen e fondit për partitë politike”, u shprehën ekspertët e KQZ-së. Sipas ligjit “Për partitë politike” 70% e fondit të parashikuar si mbështetje financiare për partitë shpërndahet sipas numrit të deputetëve të fituar në zgjedhjet e fundit parlamentare. Çdo parti parlamentare përfiton ndihmë financiare në përputhje me numrin e deputetëve që ka fituar; 20 % e fondit ndahet në mënyrë të barabartë, ndërmjet partive parlamentare, ndërsa 10 %, sipas përqindjes së fituar ndërmjet partive politike që kanë marrë pjesë në zgjedhjet e fundit parlamentare dhe kanë fituar mbi 1 % të votave në shkallë vendi.