Shuma totale që do u ndahet partive politike është 65 milionë lekë dhe është ndarë në dy pjesë për efekt të zbatimit të dy formulave. Së pari, bëhet ndarja e fondeve që përfitojnë partitë politike të regjistruara si subjekte zgjedhore dhe që kanë mandate në Kuvend. Në këtë kategori, Partia Demokratike merr 13.481.481 lekë, Partia Socialiste 10.111.111 lekë, Partia Republikane 2.648.148 lekë, Partia Socialdemokrate 1.685.185 lekë, Partia Lëvizja Socialiste për Integrim 1.203.704 lekë, Partia Agrare Ambientaliste 962.963 lekë, Partia Aleanca Demokratike 722.222 lekë, Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut 481.481 lekë, Partia Demokristiane 481.481 lekë, Partia Demokracia Sociale 481.481 lekë dhe Partia Bashkimi Liberal Demokrat 240.743 lekë. Tabela tjetër në projektudhëzim tregon ndarjen e fondeve që përfitojnë partitë politike që në zgjedhjet pararendëse kanë marrë jo më pak se dy vende në Kuvend, në raport me votat e marra prej tyre në shkallë kombëtare. Gjysma e dytë e shumës totale ndahet si vijon: Partia Republikane 8.046.992 lekë, Partia Socialdemokrate 5.136.667 lekë, Partia Socialiste 3.582.093 lekë, Partia Lëvizja Socialiste për Integrim 3.386.956 lekë, Partia Demokratike 3.091.861 lekë, Partia Agrare Ambientaliste 2.644.556 lekë, Partia Aleanca Demokratike 1.920.479 lekë, Partia Demokracia Sociale 1.711.151 lekë, Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut 1.664.092 lekë dhe Partia Demokristiane 1.315.153 lekë. Në total, rezulton se Partia Demokratike merr nga buxheti i shtetit 16.573.342 lekë, ndërsa Partia Socialiste 13.693.204 lekë. Miratimi i fondeve për partitë kaloi pa debat pasi ishte rënë dakord më parë për formulën që do të përdorej. Ndërkaq 50% e fondit u jepet tani partive politike, ndërsa pjesa tjetër në fund të fushatës zgjedhore. Po sot do të zhvillohet një demonstrim i plotë mbi procesin e numërimit të votave dhe vëzhgimin e tij, ndërsa një ditë më parë në mbledhjen e Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve u miratua lista me vëzhgues vendas për zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit. Në total mësohet se numri i vëzhguesve vendas që do të angazhohen ditën e votimit do të shkojë në rreth 2500 persona.