Në ambientin ku pritet të realizohet ky proces, është parashikuar që tavolina e anëtarëve të Komisionit Zonal të Administrimit të Zgjedhjeve të vendoset në mes dhe pranë saj të jetë tavolina e ndihmësve teknikë. Në të majtë të saj do vendosen kutitë e votimit dhe kutia e materialeve të votimit para numërimit, ndërsa në të djathtë të saj, kutitë e votimit dhe ajo e materialeve zgjedhore pas numërimit. KQZ ka përcaktuar në këtë udhëzim që, tavolina e çdo Grupi Numërimi të formohet duke bashkuar 2 tavolina në pjesën vertikale të tyre. Kamera me rezolucion të lartë, është menduar të vendoset në mënyrë të atillë që të ketë kënd pamjeje në qendër të tavolinës, duke marrë për bazë këshillat e ndihmësit teknik. Gjithashtu edhe ekranet në të cilët do të lexohen fletët e votimit, do jenë të vendosura në mënyrë të atillë që të kenë një pamje të qartë dhe në lartësi të atillë që të mos pengohen nga personat që ndodhen në Vëndin e Numërimit të Votës. Largësia nga tavolina e punës së GN-së dhe vëzhguesve do jetë e tillë që të mundësojë vëzhgimin normal të procesit të numërimit, por duke shmangur kontaktin fizik midis vëzhguesve dhe anëtarëve të GN-së. Në udhëzimin e KQZ-së është përcaktuar se në zonat e administrimit zgjedhor, të cilat kanë deri në 79 qendra votimi, KZAZ-ja do të caktojë ngritjen e pesë tavolinave numërimi dhe të dhjetë Grupeve Numërimi. Në zonat e administrimit zgjedhor, të cilat kanë nga 80 deri në 100 qëndra votimi, KZAZ-ja do caktojë ngritjen e gjashtë tavolinave numërimi dhe të dymbëdhjetë grupeve numërimi. Kurse në zonat që kanë nga 101 deri në 120 qendra votimi, KZAZ-ja do të caktojë ngritjen e 7 tavolinave numërimi dhe të 14 grupeve të numërimit. Sa u përket zonave që kanë nga 121 deri në 140 qëndra votimi, KZAZ-ja ka për detyrë të caktojë ngritjen e 9 tavolinave të numërimit dhe të 18 grupeve numërimi. E së fundmi, në zonat e administrimit zgjedhor, të cilat kanë mbi 140 qendra votimi, KZAZ-ja do përcaktojë ngritjen e 10 tavolinave numërimi dhe të 20 grupeve numërimi. Në caktimin e grupeve të numërimit është marrë për bazë numri i qëndrave të votimit që duhet të numërojë çdo Grup Numërimi dhe çdo Grup Numërimi, nuk numëron më pak se 5 QV dhe më shumë se 10 QV. Përjashtim nga ky rast bën vetëm ZAZ-ja nr.54, e cila i përket Njësisë Bashkiake Nr.10 në Bashkinë Tiranë, që ka vetëm 21 QV në përbërje të saj. Sipas përcaktimit të bërë më sipër, në total në të gjitha ZAZ-të do të ngrihen 379 tavolina numërimi dhe gjithashtu do të mbahen materialet edhe për 6 tavolina të tjera, të cilat do të jenë rezervë për shkak të ndryshimit të mundshëm të numrit të QV-ve në një ZAZ apo për shkak të defekteve teknike.