Tiranë – KQZ miraton tabelën përmbledhëse për Tiranën

Ashtu si edhe me qarkun e Fierit, ndonëse disa nga anëtarët kishin ankesa, KQZ miratoi me katër vota pro dhe tre kundër tabelën për qarkun e Tiranës duke rrëzuar kërkesat e nënkryetares Dëshira Subashi dhe përfaqësuesit ligjor të Partisë Socialiste Genc Gjoncaj. Subashi tha se KQZ-ja duhet të kishte vepruar kështu edhe për rastin e Fierit. “KQZ, nuk është kompetente për ta miratuar tabelën sepse i referohet nenit 35 te pika 5 të Kodit Zgjedhor, i cili thotë se mungesa e një vendimmarrje në KZAZ merret në kompetencën e KQZ-së, vetëm në rastet kur KZAZ i jep kompetencën KQZ për të marrë vendimmarrjen e munguar të KZAZ-së. Në këtë fazë të procesit kjo vendimmarrje nuk është në kompetencë të KQZ-së”, u shpreh nënkryetarja e KQZ Dëshira Subashi. Ndërkohë anëtari i Partisë Demokratike pranë KQZ-së Klement Zguri, shtoi se “qoftë dje qoftë sot nuk po bëjnë asgjë. Tabelat që janë me vendim të KZAZ-së po miratojmë, pra ato që kanë kaluar me 7 firma të plotësuar nga KZAZ-ja. Që kështu nuk ka asgjë për të dyshuar këtu”, tha Zguri. Në tabelën përmbledhëse të rezultateve të kryeqytetit e cila u miratua me shumicë votash nuk ishin të përfshira disa Qendra Votimi për përfshirjen e të cilave insistuan nënkryetarja Subashi dhe përfaqësuesi i PS-së në KQZ Genc Gjoncaj. Tashmë Partisë Socialiste i mbetet vetëm rruga e ankimimit në KQZ për përfshirjen e këtyre kutive në tabelën e rezultateve përmbledhëse.