Partia Socialiste dhe Partia Demokratike kanë respektuar afatin duke dorëzuar dokumentin e regjistrit disa ditë para afatit, ndërkohë që nga 14 parti parlamentare nuk janë regjistruar ende LSI, PR, PSD, PDS. Në listë bien në sy edhe emra partish si “Partia e të Drejtave të Mohuara- e Re” apo “Partia Emigracioni Shqiptar”. Pjesa tjetër e listës përbëhet nga parti joparlamentare si PLL-ja, Lëvizja Për Zhvillim Kombëtar, G99, Balli Kombëtar Demokrat. Mes këtyre partive rezulton si garuese Partia Komuniste me kryetar Hysni Milloshin. Pritet që gjatë ditës së sotme të tjera parti të dorëzojnë dokumentacionin e regjistrimit ndërsa pasdite KQZ do të zhvillojë mbledhjen e radhës ku do të miratojë projektvendimin për regjistrimin e partive politike për zgjedhjet e 28 qershorit. Pas regjistrimit të partive politike kodi parashikon edhe regjistrimin e koalicioneve zgjedhore. Çdo parti politike duhet të paraqesë kërkesën për t’u regjistruar si subjekt zgjedhor në KQZ jo më vonë se 60 ditë përpara datës së zgjedhjeve. Pavarësisht problemeve me afatet e dorëzimit të komisionerëve, duket se ky proces është zgjidhur dhe KQZ-ja ka rinisur punën normalisht. Një çështje e nxehtë e zgjedhjeve mbetet problemi i kartave të identitetit, ku opozita insiston që ato të shpërndahen falas. Por, kryeministri Berisha insiston që tarifa i jep seriozitet letërnjoftimit elektronik. Në turin elektoral “Shqipëria po Ndryshon”, ai u shpreh se projekti i Europës është projekti i tij. “Nga ana tjetër, ne ia kemi dalë të ecim të sigurt në projektin tonë të dytë të madh: Shqipëria në Europë. Ne firmosëm. Me këtë dua të them se kemi qenë dhe do të mbetemi të ndejshëm për të plotësuar çdo kusht jetësor për ju. Ne e kemi faktuar këtë, e faktuam me infrastrukturën, me furnizimin me energji elektrike, me ndihmën e ekonomike, etj”, – është shprehur Berisha. Ky përbën një stad të ri shumë të rëndësishëm. Mbi bazën e asaj që kemi arritur, ne do të marrim një stacion tjetër, sa më lart të ngjitemi aq më të lehtë e kemi rrugën tonë, aq më shpejt ne do të ndërtojmë të ardhmen”. “Të gjithë presin që të na shohin ne me të gjitha dokumentet, njësoj si qytetarët europianë. Letërnjoftimet e reja janë fjala më e fundit e teknologjisë botërore. Pasaportat biometrike, me të cilat ju do të lëvizni pa viza, përbëjnë gjithashtu teknologjinë më të fundit”, – tha kryeministri.