Tiranë | KQZ miraton procedurat për plotësimin e vakancës në KZAZ dhe KQV dhe rregulloren e regjistrimit të koalicioneve

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve miratoi me konsensus udhëzimin që përcakton procedurat e përzgjedhjes dhe trajnimit të shtetasve që mund të emërohen kryesisht nga KQZ, për plotësimin e vakancës së krijuar në Komisionet Zonale të Administrimit Zgjedhor dhe Komisionin e Qendrës së Votimit. Kodi Zgjedhor përcakton që në rastet kur mungesa e anëtarëve apo e sekretarit e bën të pamundur vendimarrjen apo funksionimin e komisioneve, KQZ me udhëzim përcakton procedurat e përzgjedhjes dhe trajnimit të shtetasve që mund të emërohen kryesisht si anëtarë apo sekretarë të KZAZ-ve. Në zbatim të kësaj dispozite është përgatitur një udhëzim i veçantë, sipas të cilit, KQZ do të krijojë një listë me shtetas që shprehin interesimin për të qenë anëtarë të komisioneve zonale. Jo më vonë se 90 ditë nga data e zgjedhjeve, KQZ do të shpallë në gazeta dhe në faqen e saj në internet njoftimin për të rekrutuar persona që kanë interes të bëhen anëtarë të KZAZ-ve. Në mbledhjen e sotme Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve miratoi edhe rregulloren e regjistrimit të koalicioneve zgjedhore në KQZ. Akti parashikon që dy ose më shumë parti politike të cilat kanë të drejtë sipas ligjit të regjistrohen si koalicion zgjedhor duhet të paraqesin në KQZ një kërkesë për regjistrimin e koalicionit si subjekt zgjedhor, së bashku me marrëveshjen përkatëse. Kjo marrëveshje duhet të përmbajë disa elementë si: shprehjen e vullnetit të partive përkatëse për të qenë pjesëtarë të këtij koalicioni; emrin e koalicionit, shkronjat nistore të tij, etj.

Advertisement