Tiranë | KQZ miraton modelin e fletës së votimit

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka miratuar në unanimitet pr/vendimin për modelin e fletës së votimit për zgjedhjet e 23 qershorit. Përfaqësuesit në KQZ të dy partive të mëdha, PD dhe PS, Njazi Kosovrasti dhe Genci Gjonçaj paraqitën disa propozime që lidhen me specifikime teknike në fletën e votimit që u pranuan nga anëtarët e Komisionit. Përfaqësuesi i Partisë Demokratike në KQZ, Njazi Kosovrasti, propozoi që në fletën e votimit elementë të dukshëm të jenë numri i qarkut, i Zonës së Administrimit Zgjedhor (ZAZ) dhe numri i Qendrës së Votimit, ndërsa pjesa e padukshme të jetë numri serial. Sa i takon përmasave të fletës dhe ngjyrës së saj këto do të vendosen me një akt tjetër nga KQZ, pas regjistrimit të subjekteve zgjedhore pjesëmarrëse në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të 23 qershorit. Kodi Zgjedhor përcakton një sërë elementësh për fletën e votimit për partitë politike dhe koalicionet, e cila duhet të ketë ngjyrë dhe formë të njëjtë për të gjitha zonat zgjedhore, ndërsa prodhimi i saj do të bëhet në blloqe pa kundërfletë. Gjithashtu, fleta e votimit duhet të jetë prej letre me ngjyrë, trashësi dhe elemente konfigurimi të tilla që të mos lejojnë leximin e votës në pjesën e pasme të saj. Ajo duhet të përmbajë dhe elementë sigurie, të cilat garantojnë sigurinë në procesin e prodhimit dhe përdorimit të saj.

Advertisement