Në mbledhjen e djeshme të Komisionit Qëndror Zgjedhor është miratuar me unanimitet buxheti i këtij institucioni prej 7.3 miliardë lekësh për zhvillimin e zgjedhjeve parlamentare më 28 qershor të 2009. Nëpërmjet një relacioni të detajuar anëtarët e KQZ-së janë njohur me të gjitha zërat që përbëjnë buxhetin e këtyre zgjedhjeve. Qeveria kishte parashikuar fondin prej 6 miliardë lekësh, por KQZ kërkoi 1.3 miliardë lekë më shumë fond i cili do të shërbejë për monitorimin me kamera të procesit të numërimit të votave. Për herë të parë në Shqipëri, grupet e numërimit të votave do të kenë mbi kokë një monitor dhe çdo fletë votimi do të pasqyrohet në të, në kohën reale. Një zë tjeter i konsiderueshëm financiar janë pagat e mbi 41 mijë komisionerëve të niveleve të ndryshme, si dhe pagat e punonjësve part time që KQZ ofron në prag të zgjedhjeve. Gjithashtu me këtë fond do të blehen fletët e votimit për zgjedhjet e qershorit, të cilat pritet të jenë 3195913 copë. Nga të dhënat e publikuara nga Ministria e Brendshme numri në total I zgjedhësve pritet të jenë 3133248. Sipas Kodit Zgjedhor KQZ duhet të kërkojë shtypjen e fletëve të votimit të barabartë me numrin e zgjedhësve plus 2% të kësaj shume. Gjatë mbledhjes përfaqësuesi i Partisë Socialiste në Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve Genc Gjoncaj i kërkoi anëtarëve që KQZ të ketë një fond rezerve gjatë zgjedhjeve pasi ky proces është me rëndësi të madhe kombëtare dhe nuk duhet të mbesë peng i parave.