Tiranë – KQZ diskuton projektin “Fushata e Edukimit të Zgjedhësve në Zgjedhjet për Kuvendin”

Përfaqësuesi i Partisë Socialiste në këtë institucion, Genc Gjonçaj kërkoi që pjesë e kësaj fushate sensibilizuese të bëhej edhe apeli drejtuar zgjedhësve për t’u pajisur me kartat e identitetit. “KQZ duhet t’iu bëjë thirrje të gjithë shtetasve që gëzojnë të drejtën e votës, që të pajisen sa më shpejt të jetë e mundur me kartat e identitetit. Fushata sensibilizuese nuk duhet të orientohet vetëm për t’iu sqaruar zgjedhësve sistemin e ri zgjedhor. Aplikoni për kartat e identitetit, kjo duhet të jetë thirrja kryesore e KQZ-së”, – u shpreh Gjonçaj. Propozimi i tij u mor parasysh nga anëtarët e këtij institucioni, të cilët ranë dakord në parim që të fillojnë këtë fushatë sensibilizimi 50 ditë para datës së zgjedhjeve. Ndërkohë, një tjetër temë kryesore e debatit në mbledhjen e djeshme të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ka qenë edhe çështja e publikimit në median vizive dhe atë të shkruar të njoftimeve sensibilizuese të këtij institucioni. Përfaqësuesi i Partisë Demokratike në KQZ, Njazi Kosovrasti kërkoi nga anëtarët e këtij institucioni, përfshirjen në listën e të përditshmeve ku do të botohen këto njoftime edhe të gazetave partiake si “Zëri i Popullit”, “Rilindja Demokratike” dhe “Integrimi”. Sugjerimi i tij ishte që KQZ-ja t’ua ofronte falas këtyre gazetave publikimin e njoftimeve në fjalë. “Në këtë mënyrë rrethi i personave që sensibilizohen ka për të qenë më i madh”, – argumentoi Kosovrasti.

Advertisement