Tiranë | Kontrolli teknik i mjeteve nuk do të kryhet pa kontratën e sigurimit

Drejtuesit që nuk janë të pajisur me kontratën e sigurimit të mjetit nuk do të mund kryejnë shërbimin e kontrollit teknik vjetor të mjetit. Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës, në funksion të zbatueshmërisë së legjislacionit të sigurimit të detyrueshëm në sektorin e transportit, ka përgatitur një projektudhëzim për pajisen e kontratës së sigurimit të mjetit motorik përpara kontrollit teknik vjetor të mjetit. Në nenin 1, pas pikës 5, shtohet pika 6 me këtë përmbajtje: drejtuesit e mjeteve rrugore duhet të dorëzojnë tek subjekti i liçensuar për kryerjen e shërbimit të kontrollit teknik vjetor KTV kontratën e sigurimit të mjetit. Në të kundërt ky shërbim nuk kryhet. Në nenin 5, në fund të pikës 4, shtohet një fjali me këtë përmbajtje: në çertifikatën e kontrollit teknik do të shënohet numri i serisë së kontratës së sigurimit të mjetit dhe emri i kompanisë që e ka lëshuar”. Ky udhëzim hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në fletoren zyrtare.