Tiranë – Konfindustria përshëndet administrimin e situatës së përmbytjeve

“Vlerësojmë KESH dhe OST për optimizimin e sistemit energjitik në prodhimin maksimal dhe qëndrueshmërinë e linjave të transmetimit të tensionit të lartë”, citon më tej deklarata e Konfindustrias. Më tej, përmes saj Konfindustria i ka kërkuar qeverisë dhe vendimarrjes politike në përgjithësi që pas tejkalimit të gjendjes së jashtëzakonshme të shkëputet nga veprimet me natyrë populiste dhe të punojë për zhdukjen e shkaqeve thelbësore, që rënduan në mënyrë të tejskashme pasojat e përmbytjeve masive me qëllim mospërsëritjen në të ardhmen. Te këto të fundit ajo rendit keqadministrimin dhe moskontrollin skajor të territorit deri në formën e rënies së plotë të autoritetit shtetëror, shfaqur me lejimin e ndërtimeve të paligjshme, tërësisht jashtë standarteve të qindra e qindra shtëpive në zona qartësisht dhe historikisht të palejueshme për ndërtim. “Duhet të pranohet dhe të sqarohet, se është e papranueshme, që taksat e qytetarëve shqiptare të shkojnë për të dëmshpërblyer pronarët e ndërtimeve të paligjshme në zona të rrezikuara, të banimit, bizneseve dhe hoteleve turistike etj, përfshi edhe ndërtimet e kryera me lejet e marra në mënyrë korruptive dhe në kundërshtim të plotë me standartet e lejueshme në fuqi”, thuhet në këtë deklaratë. Më tej shtohet se në asnjë mënyrë nuk duhet të ligjërohen nga ALUIZNI ndërtimet në zona të rrezikuara në gjithë territorin e vendit, përfshi edhe zonat detare dhe lumore të përmbytjeve. “Sqarimi i plotë i mënyrës së veprimit të institucioneve përgjegjëse për menaxhimin e digave dhe dhënien e zgjidhjeve ligjore të problemeve të krijuara në bashkëveprimin ndërmjet prodhimit dhe të shpërndarjes të energjisë elektrike të ardhura nga shkëputja e sistemit të përqendruar energjitik të vendit pas privatizimit të OSSH/Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes”, përfundon deklarata e Konfindustrias.

Advertisement