Tiranë | Konferenca e Kryetarëve miraton pa opozitën kalendarin e punimeve të Kuvendit

Kuvendi-i-Shqiperise

Në mbledhjen e parë për vitin 2012, Konferenca e Kryetarëve të Grupeve Parlamentare miratoi pa konsensusin e opozitës kalendarin e ri të punës. Kjo erdhi për shkak se Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi gjatë Konferencës me dyer të mbyllura të Kryetarëve refuzoi përfshirjen në kalendar të projektligjeve të mbetura që kërkojnë 3/5 e votave, duke vënë në rrezik edhe kompromisin e arritur mes mazhorancës dhe opozitës. Kreu i grupit kuvendor socialist nuk pranoi të bëjë asnjë koment për këtë pas mbylljes së Konferencës së Kryetarëve. Zyra e shtypit e Kuvendit bëri me dije se kalendari i propozuar nga administrata e Kuvendit parashikonte fillimin e punës në komisione parlamentare të shqyrtimit dhe diskutimit të ligjeve të depozituara në Kuvend dhe të kodeve e projektligjeve që kërkojnë 3/5, sipas marrëveshjes së 14 nëntorit 2011, të miratuar nga të gjitha grupet parlamentare. “Në kuadër të diskutimit, Konferenca përcolli me shqetësim kërkesën e Kryetarit të Grupit të Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi për të hequr nga kalendari pr/ligjet e mbetura që kërkojnë shumicë të cilësuar, si një kërkesë që rrezikon seriozisht implementimin në kohë të marrëveshjes së 14 nëntorit 2011. Me shumicë votash, Konferenca vendosi që këto pr/ligje të mbeten në kalendar dhe të fillohet nga puna në komision për shqyrtimin e tyre, në përputhje me pikën I dhe pikën VII të Vendimit të Konferencës së Kryetarëve, datë 14 nëntor 2011”, thuhet në deklaratën e Kuvendit. Konferenca e Kryetarëve me shumicë votash përcaktoi si datë të parë të shqyrtimit në seancë plenare të këtyre projektligjeve, datën 2 shkurt 2012, në rendin e ditës së të cilës do të përfshihet shqyrtimi i Kodit civil.

Advertisement