Komisioni për Ekonominë dhe Financat miratoi projektligjin “Për një shtesë në ligjin nr. 8438, datë 28.12.1998 “Për tatimin mbi të ardhurat” të ndryshuar”. Zëvendësministri i Financave, Ervin Mete, sqaroi se ndryshimi në këtë projektligj lidhet me fshirjen e borxheve të këqija. “Ndryshimi propozohet në një nen të vetëm të projektligjit dhe përcakton fshirjen e borxheve të bankave. Ndryshimi është i përcaktuar në udhëzim, por me kërkesë të shoqatës së bankave, Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar, u ra dakord që ndryshimi të bëhet edhe në ligjin përkatës. Ky ndryshim ul dhe përmirëson bilancet e subjekteve bankare dhe jo bankare të licensuara nga Banka e Shqipërisë,” tha Mete. Bazuar në rregulloren e Bankës së Shqipërisë dhe në standardet ndërkombëtare të raportimit financiar (“SNFR”), bankat krijojnë provigjione për mbulimin e humbjeve të mundshme nga moskthimi i kredive duke rënduar periodikisht shpenzimet e tyre. Ky provigjion është kryesisht kalimi në shpenzim i shumës që banka e ka dhënë si kredi, por që nuk parashikon që të paguhet/të rikuperohet nga klienti (dhe jo ndonjë shërbim i dhënë klientit, i cili regjistrohet si e ardhur e nuk parashikohet të rikuperohet). Në varësi të karakteristikave të një kredie specifike, si: shumës së mbetur, kolateralit, garantorit, ecurisë dhe rezultateve të proceseve gjyqësore, kur kreditë klasifikohen si të “humbura”, bankat krijojnë provigjione në masën 100% të shumës së pashlyer dhe, për pjesën për të cilën nuk ka shpresa të arsyeshme për rimarrjen e tyre, i fshijnë ato nga bilancet. Për shkak të specifikave të këtij sistemi, konkretisht në projektligj propozohet që në nenin 24 të shtohet një paragraf, ku përcaktohet një procedurë e veçantë për fshirjen e borxhit të keq nga bankat. Sipas këtij paragrafi, degëve të bankave të huaja dhe subjekteve financiare jobanka, të licencuara nga Banka e Shqipërisë për ushtrimin e veprimtarisë së kredidhënies, në përcaktimin e fitimit të tatueshëm, fshirja e borxhit të keq lidhur me procesin e kredidhënies njihet si shpenzim i zbritshëm me plotësimin e afateve: 365 ditë pas depozitimit të kërkesës, për fillimin e procedimit të ekzekutimit të detyrueshëm te përmbaruesi, në rast se kredia është e siguruar me pasuri të luajtshme ose të paluajtshme; 365 ditë pas lëshimit nga gjykata të urdhrit të ekzekutimit, në rast se kredia nuk është e garantuar me pasuri të luajtshme/të paluajtshme. Rregullimi me ligj i kësaj dispozite, pavarësisht nga përcaktimi në udhëzim, eviton interpretimet e ndryshme dhe qartëson procedurat për procesin e fshirjes së kredive të këqija për bankat.