Pjesë e këtij borxhi është edhe kredia 250 milion euro, që Ministria e Financave mori për investime. Opozita braktisi komisionin me argumentin se janë shkelur procedurat e kuvendit dhe qeveria po rëndon konsumatorët vetëm me interesat e kredisë që duhet të paguajë. Drejtori i Borxhit, në ministrinë e Financave Xhentil Demiraj u shpreh se “është arritur të sigurohet që në muajin maj të disbursohet një shumë prej 95 milionë euro, ndërsa në muajin qershor 155 milion euro të tjera, pjesë kjo e kredisë tregtare”. Sipas tij borxhi është marrë për të mbuluar nevojat e buxhetit me investime kapitale. Por deputeti Erion Braçe reagoi ashpër lidhur me shkeljen e procedurave parlamentare të kësaj kredie. Sipas tij në datën 6 maj kjo hua u miratua në qeveri dhe në datën 8 maj kërkohet miratimi i saj në komision. Ndërkohë që procedurat parlamentare kërkojnë që rendi kalendarik i projektligjeve duhet të miratohej në Konferencën e Kryetarëve, gjë e cila nuk ka ndodhur. Mbi të gjitha, deputeti socialist u shpreh kundër kësaj kredie edhe për shumën e madhe të interesit që shqiptarët duhet të paguajnë në të ardhmen. Nga ana tjetër kryetari i Komisionit të Ekonomisë Edmond Spaho, e cilësoi të nevojshme marrjen e huasë, për të mbajtur në ritëm rritjen e ekonomisë në këtë kohë krize. Në total, Komisioni miratoi 6 marrëveshje huaje, të cilat kanë në thelb kredi që përfshijnë investimet publike, ndërtimin e rrugëve dytësore rurale si dhe garancinë që Banka Botërore dha për privatizimin e Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes. Marrëveshjet e huamarrjes do të miratohen këtë të hënë në seancën e fundit të parlamentit që mbyll legjislaturën për t’i hapur rrugën asaj që pritet të vijë pas zgjedhjeve të 28 qershorit 2009.