Tiranë | Kolegji Zgjedhor rrëzon ankimimin e PD-së për zgjedhjet në Korçë

Kolegji Zgjedhor rrëzoi të hënën kërkesë padinë e Partisë Demokratike për pavlefshmëri të zgjedhjeve të pjesshme për kryetar bashkie në Korçë. Kryetari i trupës së Kolegjit, gjyqtari Fuat Vjerdha, komunikoi vendimin përfundimtar në përfundim të shqyrtimit të kësaj çështje. Pas shpalljes së vendimit, përfaqësuesi ligjor i PD-së, juristi Ivi Kaso, tha për gazetarët se me këtë vendim “Kolegji i mbylli sytë para fenomenit të turpshëm të shitblerjes së votës”. “Sot Kolegji mori në shqyrtim kërkesë-padinë e paraqitur nga PD, për atë që gjithë shqiptarët e panë me zë e figurë, fenomenin e turpshëm, që është ngritur në sistem nga PS, atë të shitblerjes së votës. Kolegji Zgjedhor vendosi t’i mbyllte sytë para këtij fenomeni dhe besoj se kjo zgjedhje është po aq e patolerueshme sa ç’është dhe vetë fenomeni”, tha Kaso. Ne, vijoi ai, “besojmë se arritëm të provonim pretendimet tona, pasi vota në zgjedhjet e pjesshme për kryetar bashkie në Korçë vetëm e lirë dhe e ndershme nuk mund të ketë qënë”. “Vota u pa qartë që shitej e blihej, u panë qartë përmasat e fenomenit dhe besojmë që ajo, që minimalisht duhet të bënte Kolegji, ishte që t’i thoshte ‘stop’ këtij fenomeni dhe t’i vinte fre atij”, tha Kaso. Ndërsa, përfaqësuesi ligjor i PS-së, Eridian Salianji, e konsideroi vendimin e Kolegjit mëse të drejtë dhe të mbështetur në ligji. “Përsa i takon pretendimeve nga pala paditëse dhe nga PD besoj se ato janë të denja për një emision tjetër “Fiks Fare” dhe jo për një gjykim”, tha ai. Më 3 nëntor në Korçë u zhvilluan zgjedhjet për kryetar bashkie, ku pas numërimit të votave kandidati i PS-së, Sotiraq Filo, siguroi më shumë vota se kandidati i PD-së, Sotiraq Stratobërdha. Por, publikimi i një videoje në një emision televiziv investigativ, ku shfaqeshin disa studentë që merrnin pranë zyrave elektorale 2 mijë lekë të reja, pasi kishin votuar në zgjedhjet e 3 nëntorit, shkaktoi reagimin e ashpër të opozitës së djathtë. Ajo akuzoi mazhorancën për blerje të votave, ndërsa depozitoi në KQZ kërkesën për shpalljen të pavlefshëm të rezultatit të zgjedhjeve dhe ripërsëritjen e tyre. Por, sipas kodit zgjedhor, KQZ nuk mund ta merrte në shqyrtim ankimimin e PD-së, për shkak të mungesës së kuorumit të nevojshëm, duke ia kaluar trupës së Kolegjit Zgjedhor.

Advertisement