Kolegji Zgjedhor ka kërkuar nga KQZ që të bëjë një rivlerësim edhe të kutive që nuk janë hapur. Relatorja Dhurata Haveri deklaroi se “Kolegji zgjedhor në bazë të nenit 153/3 vendosi pranimin e kërkesës së paditësit Partia Socialiste”, duke theksuar se urdhërohet Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të bëjë një tjetër proces numërimi. Mbi bazën e këtij vendimi do të hapen të gjitha kutitë ku ka shënime nga ana e komisionerëve për fletë të kontestuara dhe rezultati i tyre do t`i bashkangjitet rezultatit të deritanishëm që ka KQZ. Kolegji ka rrëzuar kërkesën e socialistëve për mosrakordim të shifrave për 117 kuti votimi që numëroi KQZ për fletë të hedhura në kutinë e gabuar. Nisur nga kjo, nga 485 kuti votimi që janë gjithsej për Tiranën, 117 janë hapur dhe numëruar fletët e kontestuara, ndaj sipas urdhërit KQZ-do të numërojë dhe 368 kuti të tjera për fletët e gabuara. Kjo procedurë do të kërkojë kohë edhe për zbardhjen e rezultatit përfundimtar e fituesin e Bashkisë së Tiranës. Ndërkaq, Kolegji zgjedhor ka anuluar edhe dy vendime të tjera të KQZ-së, siç janë 710 dhe 827. Vendimi 710 i referohet miratimit të tabelës përmbledhëse të zonës së administrimit zgjedhor nr 49 të bashkisë Tiranë. Ndërsa vendimi 827, i cili ishte edhe në objektin e kërkesë padisë së socialistëve, referuar pikave 2 e 3, ende nuk është zbardhur në faqen zyrtare të KQZ-së. Detajet e vendimit të dhënë pas mesnatës nga Kolegji do të bëhen të ditura pas zbardhjes së plotë të vendimit i cili bëhet tre ditë nga dhënia e tij.