Përveç ndonjë defekti teknik, që është normal, kjo zonë furnizohet rregullisht me ujë. Sipas Dollapit, qytetarët që nuk kanë lidhur kontratat me Ujësjellësin nuk furnizohen dhe nuk do të furnizohen me ujë. Pagesa për ujin e konsumuar është detyrim për çdo qytetar, tha ai. Në zonën e Kodrës së Priftit, Drejtoria e Përgjithshme e Ujësjellës-Kanalizimeve, me miratimin e Bashkisë ka kryer një investim total në gjithë zonën, që ka përfshirë rrjetin e transmetimit, rrjetin e shpërndarjes dhe vendosjen e matësave për çdo qytetar. Dollapi u shpreh se “nuk është mirë që për disa probleme që janë thjesht teknike, të abuzohet nëpërmjet mediave, me mungesën e ujit apo me mungesën e efikasitetit të shërbimit në këtë zonë. Duke qenë se ne aktualisht, jemi duke punuar me dy rrjete, edhe rrjetin e ri, edhe atë të vjetër, shkëputja nga rrjeti i vjetër për në rrjetin e ri, do të ketë edhe pasoja ditore të ndërprerjes së ujit, për efekte teknike që janë procedura apo procese teknologjike, të cilat nuk lejojnë që punimet të kryhen në prezencën e ujit”. Megjithatë, edhe për këtë, Drejtoria e Ujësjellësit ka marrë masa, duke lënë të dy rrjetet e shpërndarjes edhe ekzistuesin (të vjetrin) edhe të riun në punë. “Të gjithë ata qytetarë, që aktualisht janë të lidhur në rrjetin e vjetër, të paraqiten tek punonjësit e Njësisë, të cilët punojnë në mënyrë të vazhdueshme në këtë zonë, duke u lidhur me rrjetin e ri dhe duke pasur furnizim normal me ujë, ashtu siç edhe ne sot e kemi garantuar”, sqaroi ai.