Sipas deputetes Mimi Kodheli qeveria dhe Ministria e Financave kanë kufizuar tregun e shitjes së kasave vetëm në dy duar, lëvizje kjo që sipas saj do t’i siguronte kryeministrit Berisha një fitim që arrin nga 40 në 100 milionë euro. “Është Sali Berisha ai, që është në dijeni të plotë të praktikës korruptive dhe shkeljeve të rënda të bëra në procedurën e konkurrimit dhe që nuk ka ndërmarrë asnjë veprim për të eliminuar efektet e praktikës korruptive dhe çmimit të lartë të legjitimuar nga kjo praktikë korruptive. Ky është raporti i kontrolli i Departamentit të Kontrollit të Brendshëm administrative dhe antikorrupsion, që operon me urdhër dhe nën varësinë e Sali Berishës”, tha Kodheli. Sipas PS-së, ky raport konfirmon të gjitha akuzat dhe është një tregues i praktikave korruptive dhe antiligjore të ndjekura nga qeveria aktuale. “Kjo është arsyeja përse ne sot i kërkojmë organit të prokurorisë të nisë menjëherë hetim penal lidhur me veprimet dhe mos veprimet e qeverisë, ministrit të Financave që me dashje kanë ndërtuar një biznes të paligjshëm dhe tejet përfitues, kanë kufizuar tregun e shitjes së kasave në vetëm 5 duar, më pas vetëm në 2 duar”, shtoi Kodheli. Nga ana tjetër deputetja hodhi poshtë deklaratat e kryeministrit se bizneset do të paguajnë zero lekë. Sipas Kodhelit bizneset po paguajnë sot 520 euro për kasë, pagesë në të cilën 300 euro sipas saj i përfiton kryeministri dhe klientët e tij.


