Tiranë | Kodheli: përfaqësuesit e PD po tentojnë të bllokojnë procesin e numërimit

alt

Kodheli e cilësoi këtë si një tjetër akt të dëshpëruar të kreut të demokratëve Sali Berisha, i cili siç tha ajo, po përpiqet me çdo kusht të minojë këtë proces zgjedhor dhe fitoren e sigurt në Bashkinë e Tiranës. Në emër të Partisë Socialiste zëdhënësja Kodheli apeloi që askush të mos guxojë të luajë me votën e shqiptarëve. Këtu ajo ripërsëriti thirrjen për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve që të ndalojë së funksionuari si një vegël politike e pushtetit dhe të marrë urgjentisht masa për të siguruar funksionimin e çdo hallke të procesit të numërimit të votave. Kodheli i bëri thirrje KQZ-së të ndëshkojë përfaqësuesit e Partisë Demokratike që po përpiqen të sabotojnë procesin. Duke iu referuar procesit të numërimit të votave në Tiranë, Kodheli u ndal në minibashkinë nr. 5 ku procesi i numërimit ecën me ritme tejet të ngadalta, plotësisht jashtë normales. Kodheli akuzoi përfaqësuesit e PD-së se po tentojnë të bllokojnë procesin e numërimit në këtë zonë bastion të së majtës. Sipas Kodhelit në Njësinë numër 5 në Tiranë, janë numëruar vetëm 27 nga 75 qendra votimi, ku Edi Rama kryeson me 2456 vota. Zëdhënësja e PS-së i bëri thirrje përfaqësuesve të Partisë Demokratike të mos e bllokojnë procesin e numërimit në këtë njësi, duke siguruar të gjithë qytetarët e Tiranës se çdo votë e tyre do të numërohet ashtu siç është hedhur në kuti. Në fund të deklaratës së saj më të fundit zëdhënësja e PS-së Mimi Kodheli përgëzoi për fitoren edhe kryetarin e ri të Bashkisë së Shijakut, Indrit Bukën. Kodheli renditi fitoret e Partisë Socialiste në shumë bashki të vendit si në Vlorë, Fier, Korçë, Lushnjë, Pogradec, Sarandë, Berat, Gjirokastër, Tepelenë, Përmet, Burrel.

Advertisement