Gjatë ndërhyrjes televizive, Koçi u shpreh se një nga gabimet kryesore të Edi Ramës është zgjedhja e këtij sistemi zgjedhor, që sipas Koçit, ai është zgjedhje e pastër e tij. “Ne kemi arritur në këtë derexhe, pra që nuk kemi qartësisht një maxhorancë të përcaktuar dhe jemi futur në një krizë të re, për shkak të atij që është autori kryesor”, akuzoi Koçi kreun socialist. Edi Rama, sipas Koçit, ndikoi tek deputetët e tij në Kuvend dhe i dha vendit një sistem elektoral që nuk krijoi një rezultat elektoral të qartë që përputhet me vullnetin elektoral të të gjithë shqiptarëve. Koçi e quajti sistemin zgjedhor proporcional rajonal, qesharak. “Ky sistem nuk përcaktoi një maxhorancë të qartë”, u shpreh Koçi, duke e cilësuar edhe “sistem karagjoz”, që u imponua, sipas tij në Parlament, në kundërshtim me vullnetin politik të gjithë të majtës nga Edi Rama. Koçi u shpreh se, “brenda këtij sistemi, nëse zoti Rama nuk do të kishte bërë atë thirrjen për të luftuar më shumë Ilir Metën dhe koalicionin e tij se sa Berishën, e majta sot do të ishte fituese”. Sipas tij, “ky sistem është i kalkuluar gabim dhe në mënyrë naive, për të rregulluar mandatet e disa individëve rrotull Ramës që nuk fitonin më me sistemin maxhoritar”. “Brenda këtij sistemi, nëse nuk do të ishte bërë kjo thirrje, ne do ta kishim të majtën me rreth 80 deputetë në Kuvend”, theksoi Koçi.