Tiranë | KLD përgjegjësi për funksionimin e sistemit gjyqësor

bujar nishani kld

Në vazhdim ai shpalosi objektivat e tij për këtë institucion të rëndësishëm të sistemit të drejtësisë, siç e vlerësoi ai, ndërsa u angazhua për reformat në drejtësi. “Si kryetar i KLD e shoh këtë institucion si një nga instrumentet për të analizuar sfidat me të cilat ndeshet sistemi ynë gjyqësor, për objektivat dhe standardet që duhen arritur, për të realizuar atë që kërkohet nga ne dhe opinioni publik. Kam bindjen më të thellë se themeli nga ku mund të hidhet çdo hap për ta forcuar këtë sistem, për ta bërë më transparent dhe për ta kthyer realisht në atë që qytetari ta shohë së tempull për të marrë drejtësi, është pavarësia e tij. Ne kemi shumë sfida, por unë do ta nis me atë që jo shumë është trajtuar besimi dhe respekti i vetë gjyqtarëve te vetë sistemi. Së pari, si Presidenti i Republikës dhe kryetar i KLD, duhet të tregojmë se qëndrojmë fort pas çdo gjyqtari që përmbush drejt dhe me korrektësi detyrën e tij, duhet të garantojmë integritetin profesional dhe njerëzor të çdo gjykatësi”, u shpreh Presidenti Nishani,. Presidenti siguroi çdo gjykatës për qëndrimin e tij në krah të tyre, në mbrojtje të personalitetit, pavarësisë dhe sigurisë profesionale gjatë kohës së ushtrimit të detyrës. Nishani theksoi se si Presidenti dhe KLD kanë detyrim të garantojnë besimin e gjyqtarëve të shkallës së parë dhe Apelit në sistemin e promovimit të tyre, bazuar në merita dhe jo subjektivizmin e anëtarëve të Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Nishani theksoi se në detyrën e kreut të Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe atë të Presidentit, në bashkëpunim me qeverinë, do të kërkojë rritje pagash për gjyqtarët e ndershëm, kurse për të korruptuarit premtoi ndëshkim. “Sistemi gjyqësor, që bazë ka gjyqtarin, kërkon një politikë pagash më të mirë për ta. Personalisht do jem më intensiv për të realizuar një nivel pagash më të lartë për gjyqtarët e shkallës së parë, etj. Dua të theksoj, se ata që e shikojnë pushtetin gjyqësor si pasuri, gjithmonë do kenë presidentin pas si një kundërshtar të ashpër. Praktikat në shkelje të hapur të ligjit të bëhen publike dhe të gjithë ata gjykatës, që ia mohojnë drejtësinë qytetarit, do ndiqen penalisht”, nënvizoi Nishani. Presidenti premtoi komunikim dhe bashkëpunim ndërmjet të gjithë aktorëve të sistemit të drejtësisë, ndërsa garantoi dhe njëherë se shkeljet e ligjit do bëhen publike dhe gjyqtarët që mohojnë lirinë do denoncohen nominalisht. “KLD i takon të ndjekë me seriozitet çdo adresim dhe pas verifikimeve ligjore të japë përgjigje për çfarë është konkluduar. Jam i bindur se KLD, me kapacitetet dhe eksperiencën pozitive që ka, dhe pjekurinë profesionale, që ka do dijë t’i adresojnë qytetarëve tanë ato pritshmëri që sistemi jonë ka për të nxitur modelet pozitive dhe për të denoncuar dhe penalizuar ashpër të gjitha rastet negative që cënojnë parimet e sistemit”, tha Nishani.  

Advertisement