“Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka qenë gjithnjë transparent dhe e vlerëson si pengues largimin e përfaqësuesve të maxhorancës nga mbledhja e KLD-së së një ditë me parë.” Gjatë një deklarate për mediat, KLD sqaron pozicionin e saj lidhur me akuzat e ngritura nga Ministri i Drejtësisë, Nasip Naço, i cili akuzoi Këshillin e Lartë të Drejtësisë si jo transparent dhe jo korrekt për emërimet e magjistratëve. Sipas zëdhënësit të KLD-së, Këshilli i Lartë i Drejtësisë çmon se përfaqësuesit e mazhorancës u larguan nga mbledhja për të krijuar një situatë penguese. Këshilli i Lartë i drejtësisë deklaron se ka qenë transparent dhe se janë ndërtuar standarde për vlerësimin e gjykatësve dhe për emërimin e tyre. KLD iu ka bërë thirrje ndërkombëtarëve për të vlerësuar situatën, pasi KLD vlerëson se përfaqësuesit e maxhorancës përdorën terma poshtërues, presion dhe revansh politik për të nënshtruar.”, përfundoi deklarata e zëdhënpsit të KLD-së. Këshilli i Lartë i Drejtësisë u mblodh një ditë më parë për emërimet në sistemin e drejtësisë. Mbledhja, u karakterizua nga diskutime të shumta pasi KLD-ja ka rrëzuar kërkesën e ministrit të Drejtësisë, Nasip Naço për përfshirjen e emërimit të magjistratëve si pikë të parë të rendit të ditës. Ministri i Drejtësisë deklaroi se këtyre magjistratëve po u mohohet një e drejtë, pasi ata duhet të emërohen sikurse parashikon ligji. Për këtë arsye ministri Naço ka vendosur të braktisë mbledhjen e KLD-së, duke thënë se nuk do të bëhej pjesë e një farse. Me të njëjtat argumente është larguar nga mbledhja e KLD-së edhe anëtari Sokol Çomo.