Këshilltarët votuan të gjitha pikat e rendit të ditës, i cili u miratua që në fillim të mbledhjes me votat e të gjithë këshilltarëve. Një prej vendimeve më të rëndësishme ishte ai i përfitimit të kredive të buta nga 409 familje të kryeqytetit, vendim i cili do të përmirësojë situatën e tyre të strehimit. Nga këto familje janë 184 të propozuara nga administrata e Bashës, ndërsa 225 i përkasin administratës së kaluar. Pikë tjetër e rendit të ditës ishte edhe përfundimi i procedurave të privatizimit të banesave, një vendim nga i cili do të përfitojnë 74 familje. Ai parashikon mbylljen e procedurave të privatizimit të apartamenteve për lidhjen e kontratave të shitblerjes para noterit, për pasuritë të cilat kanë mbetur pa u rregjistruar pranë Zyrës së Rregjistrimit të Pasurive të Paluajtshme. Këshilli miratoi propozimin për krijimin e Galerisë së Artit bashkëkohor, “Tirana Art Gallery”, pranë zyrave të dekorit të Bashkisë së Tiranës. Ajo gjithashtu ka projektuar vendosjen e pllakës memorial në kujtim të holokaustit, në shëtitoren pranë parkut të madh të liqenit dhe emërtimin e një shkolle të re në Laprakë me emrin e poetit kombëtar, Gjergj Fishta, i cilësuar si “Homeri i shqiptarëve”. Miratim morën edhe projektvendimet për ”Ristrukturimin e Qendrës Sociale “Të qëndrojmë së bashku”, “Qendrës Komunitare Multidisiplinare për Fëmijët dhe familjet në Nevojë” dhe Qendrës Komunitare për të Moshuarit”, miratimin e strukturave të tyre organizative si dhe rishpërndarjet në buxhetin e Bashkisë së Tiranës për vitin 2012” dhe “Një ndryshim në vendimin e Këshillit Bashkiak nr.71, datë 20.12.2005, “Për kalimin capital të asetit “Pjesë objektit” të Ndërmarrjes Shërbimeve Mekanike, Rr. “Sabaudin Gabrani” Bashkisë Tiranë si dhe ndryshimin e destinacionit të këtij objekti në qendër sociale “Të qëndrojmë së bashku”.