Tiranë – KESH do të eksportojë energji gjatë verës

Kështu ka deklaruar sot nëndrejtori i KESH-it, Muharrem Stojku. “Eksporti i energjisë do të kryhet gjatë muajve qershor, korrik dhe gusht, sidomos në kohën e pikut, kur edhe çmimet e energjisë janë më të larta”. Stojku theksoi gjithashtu se “KESH po eksporton gjatë muajit maj 124 milionë KW energji elektrike për dy shoqëri zviceriane dhe një serbe”. Sipas tij, eksporti i energjisë elektrike po kryhet falë përmirësimit të ndjeshëm të situatës hidrike në vend për shkak të reshjeve të bollshme të rëna gjatë vitit 2008 dhe fillimit të 2009. “Gjatë ditës së sotme liqeni i Fierzës është në nivelin 298.38 m dhe prurjet 230 m3/sek, ndërsa prodhimi ditor i energjisë për gjithë vendin është 16 milionë KWh në ditë”, nënvizoi nëndrejtori i KESH-it. Sipas të dhënave nga KESH, nga eksporti i energjisë, i kryer që nga 1 janari i këtij viti deri në fund të prillit në Greqi dhe Kosovë, fitimi nga shitja e energjisë elektrike ishte 12 milionë euro. Të njëjtat burime bënë të ditur se të ardhurat nga shitja e energjisë elektrike përmirësojnë edhe bilancin eksport-import të ekonomisë shqiptare, por ndihmojnë edhe KESH-in nga ana financiare duke marrë parasysh gjendjen e vështirë financiare, nga e cila doli nga thatësira e dy viteve të kaluara.