Koloneli në rezervë të Forcave të Armatosura profesor, Myslym Pashaj ka bërë një analizë të detajuar të gjithë elementëve të kësaj marrëveshje, që sipas tij cënon tërësinë territoriale të Shqipërisë, e cila humbet në favor të Greqisë 354 kilometra katrorë sipërfaqe ujore. Sipas kolonelit Pashaj marrëveshja ka shumë pika të errëta dhe të debatueshme sidomos për Otranton, ku pika e mesit mes Greqisë, Shqipërisë dhe Italisë është vendosur në brendësi të detit territorial shqiptar. Sipas tij, kjo marrëveshje duhet të ishte paraprirë më parë nga një seri ligjesh që duhet të ishin miratuar në kuvend. Ndërkohë Pëllumb Xhufi e ka cilësuar marrëveshjen të njëjtë me historinë e Shën Naumit. Presidenti i asamblesë të Republikanëve Sabri Godo ka kërkuar ekspertizë ndërkombëtare në lidhje me këtë cështje. Të gjithë të pranishmit dolën në konkluzionin se ratifikimi i marrëveshjes shqiptaro-greke duhet të shtyhet deri në vërtetimin dhe analizimin e plotë të saj. Përfaqësues të tjerë në takim hodhën idenë se edhe nëse marrëveshja ratifikohet nga kuvendi atëherë duhet të jetë Gjykata Kushtetuese që duhet ta interpretojë atë.