Tiranë | Kallëzim penal për dy ish zyrtarë të Ministrisë së energjetikës

Ministria e Energjisë dhe Industrisë ka bërë kallzim penal për ish-Sekretarin e Përgjithshëm në ish-METE (Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës) Dardan Domi dhe ish Përgjegjësin e Sektorit të Lejeve të Koncesioneve Energjetike në ish-METE, Andi Cerma. Me urdhër të Ministrit të Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri, auditi i brendshëm ka kryer një kontroll të plotë mbi rregullshmërinë e dhënies së koncesioneve për periudhën qershor-shtator 2013. Në përfundim të auditimit janë konstatuar shkelje të rënda ligjore, shkelje të cilat përmbajnë elementë të figurave të veprave penale të shpërdorimit të detyrës, të kryer në bashkëpunim dhe atë të shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike, njoftoi zyra e shtypit e MEI-së. “Për këto shkelje, raporti i auditimit konstaton se mbajnë përgjegjësi shtetasit Dardan Domi, ish-Sekretar i Përgjithshëm në ish-METE (Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës) në cilësinë e Kryetarit të Vlerësimit të Ofertave dhe Andi Cerma, ish Përgjegjës i Sektorit të Lejeve të Koncesioneve Energjetike në ish-METE, në cilësinë e Kryetarit të Njësisë së Hartimit të Dokumentave. Për këta dy shtetas është kërkuar fillimi i ndjekjes penale për kryerjen e veprave penale të “Shpërdorimit të detyrës” dhe atë të “Shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 248 e 25 dhe 258 e 25 të Kodit Penal”, thuhet në njoftimin për shtyp. Auditi, sipas MEI-it, investigoi rregullshmërinë për procedurat përzgjedhëse e konkuruese për dhënien me koncesion për 14 hidrocentrale, për të cilat kanë përfunduar procedurat konkuruese dhe janë lidhur kontratat me koncesionarët për ndërtimin e tyre. Sipas MEI-it, auditi evidentoi se sistemi i procedurës konkuruese ka shfaqur mangësi si në fazën e përpilimit dhe të miratimit të dokumenteve standarte të procedurës konkuruese; në fazën e publikimit të ftesës për ofertë; ashtu edhe në fazën e vlerësimit të ofertave dhe shpalljen e fituesit. Nga auditimi i materialeve të dosjeve të zhvillimit të procedurave përzgjedhëse të 14 koncesioneve të mësipërme, thuhet në njoftim, në të gjitha fazat e tyre janë kryer veprime dhe mosveprime që janë në kundërshtim me ligjin për Koncesionet dhe vendimin e qeverisë për miratimin e rregullave të vlerësimit dhe të dhënies së koncesioneve.

Advertisement