Në votim morën pjesë 75 deputetë, dhe vetëm njëri prej tyre votoi kundër këtij propozimi. Sipas procedurës, 15 deputetë të PD-së paraqitën me shkrim në sekretarinë e përkohshme të kuvendit, propozimin e tyre për Jozefina Topallin si kryetare e Kuvendit. Votimi u zhvillua i fshehtë. Votimi u drejtua nga një komisioni votimi i përbërë nga 5 deputetë. Më tej drejtuesi i seancës thirri kryetaren e zgjedhur me votë për t’u ulur në karrigen e tij. Në fjalën e saj, zonja Topalli falënderoi gjithë deputetët që e votuan dhe u uroi atyre punë të mbarë në legjislaturën e re. Topalli shprehu keqardhjen për mungesën e socialistëve në sallën e kuvendit për të justifikuar siç tha ajo votën e popullit. “Jam e bindur se ne do të bashkëpunojmë me ta. Sepse ne në fund të fundit jemi qytetarë të këtij vendi. Unë i ftoj sërish deputetët e opozitës të vijnë në sallë për të bashkëpunuar me ne. Është një nder të jesh një ndër 140 deputetët e kuvendit të Shqipërisë”, tha Topalli. Seanca e radhës pritet të thirret kur kabineti i ri të dalë me dekretet përkatëse nga presidenti i Republikës, i cili do të ngarkojë kryeministrin në detyrë Sali Berisha për formimin e qeverisë së re.