Tiranë | Jonathan Moore në Tiranë, takime me krerët e shtetit

Drejtori për Çështjet e Evropës Juglindore në Departamentin e Shtetit, Jonathan Moore, do të mbërrijë mbrëmjen e sotme në Tiranë. Moore do të marrë pjesë në konferencën e parë ndërkombëtare të organizuar nga “Albanian Policy Center” me temë “Bashkëpunimi transatlantik për paqen dhe sigurinë në Ballkan: Një axhendë e Shqipërisë për integrimin në BE dhe NATO”, në datën 2 prill. Sipas organizatorëve, “kjo konferencë bëhet me rastin e 5-vjetorit të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO dhe 5 vjetorit të ratifikimit të MSA-së. Konferenca do të trajtojë edhe çështjen e krijimit të një elite të re politike”. Përveç z. Moore, në konferencë do të marrin pjesë edhe kreu i PD-së, Lulzim Basha, Edita Tahiri, Zëvendeskryeministre e Kosovës, Teuta Arifi nga Maqedonia, si dhe deputetët Pandeli Majko, Majlinda Bregu, Arta Dade e shumë të tjerë, theksojnë organizatorët e Konferencës. Ndërsa mësohet se z. Moore gjatë tri ditëve do të zhvillojë edhe takime me krerët më të lartë të vendit, Presidentin e Republikës, Bujar Nishani, Kryeministrin Edi Rama, Kryetarin e Kuvendit, Ilir Meta dhe kreun e PD-së, Lulzim Basha.

Advertisement