Gjykata e Tiranës, në një seancë që zhvilloi sot, dha vendimin për të akuzuarit e tragjedisë së Gërdecit, duke dënuar me nga 18 vjet burg ish-kreun e MEICO-s, Ylli Pinari dhe ish-drejtorin e Fabrikës, Dritan Minxolli, dhe me 10 vjet burg ish-administratorin e “Albademil” sh.p.k, biznesmenin Mihal Delijorgji. Gjykata dënoi me 10 vjet burg ish-zyrtarin e Ministrisë së Mbrojtjes, Sokol Ngjeçi dhe me 6 vjet heqje lirie, bashkë me 4 vjet të tjera moslejim për ushtrim të detyrës, ish-shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, Luan Hoxha. Të pafajshëm janë shpallur Ardian Mullai e Agim Lala. Pas vendimit kanë reaguar ashpër familjarët e viktimave, ndër to edhe Zamira Durda, e cila humbi tragjikisht djalin e saj në shpërthimin në ish-fabrikën e demontimit të municioneve në Gërdec. Në shenjë proteste për vendimin e Gjykatës Zamira Durda bllokoi për disa minuta derën e Gjykatës. Vendimi i Gjykatës vjen vetëm tre ditë para 4-vjetorit të tragjedisë së Gërdecit, që tronditi vendin. Pak kohë më parë, prokuroria kërkoi dënimin me burgim të përjetshëm për 3 nga 29 të pandehurit e çështjes, Ylli Pinari, Mihal Deliorgji dhe Dritan Minxolli. Të pandehurit në këtë proces akuzohen si përgjegjës për ngjarjen e ndodhur në 15 mars të vitit 2008 në Gërdec, kur si pasojë e një shpërthimi në ish-fabrikën e demontimit të municioneve luftarake humbën jetën 26 persona, ndërsa u plagosën shumë të tjerë.