“Duke iu referuar deklaratave të fundit të Fatmir Mediut dhe Arian Madhit të bëra publike në shtyp, është e vërtetë se deri në vitin 2005, PR ka thënë zërin e shoqatës dhe formalisht e ka firmosur dhe projekligjin e hartuar nga ne, por në realitet e pengoi atë”, pohon Danushi. Madje shtoi se “janë nismat e Partisë Republikane, të cilat mundësuan që ligjet ekzistuese pas vitit 2005 të përkeqësoheshin në dëm të pronarëve të ligjshëm”. Akuzat e ish-pronarëve ndaj republikanëve vijojnë edhe duke arritur në pikën se “roli dhe kontributi i tyre ka qenë për t’i zgjatur jetën babëzisë së politikanëve dhe korupsionit pushtetar me pronat e tyre”. “Ju drejtues të Partisë Republikane nuk keni pasur kurajon t’u përgjigjeni as artikujve të Shoqatës Bregdeti, me të cilat trajtohet korrupsioni me pronat turistike dhe janë po njëlloj si problemet tona”, thuhet më tej në këtë qëndrim zyrtar të ish-pronarëve. Në fund kanë bërë apel që të merren parasysh kërkesat e ambasaorit të Britanisë Madhe, të Francës, Gjermanisë etj për domosdoshmërinë e respektimit të titujve të pronësisë në Shqipëri.