“Përgatitja e dosjeve me dokumentacionin për çdo pronë bëhet nga Komisionet e Vlerësimit të Pronës, që ngrihen me urdhër të Ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës. Këto komisione rast pas rasti bëjnë vlerësimin e pronës dhe pas konfirmimeve nga organet përkatëse AKPP, ZRPP, si dhe në Prefekturën e Qarkut, dërgojnë dosjet pranë Ministrisë së Financave për të vazhduar më tej procedurat e shitjes së pronës publike”, tha z. Kulluri në përgjigje të akuzave të deputetit socialist Taulant Balla. Sipas Kullurit, institucionet përkatëse kanë zbatuar këto vendime, duke u njohur të drejtën e parablerjes ish-pronarëve, ç’ka përbën mesa duket dhe shqetësim për deputetin Taulant Balla. Ndërkohë që jo më larg se dje, vijoi Kulluri, deputeti në fjalë pretendonte krejt të kundërtën.