Tiranë – ILDKP kallëzon penalisht gjashtë zyrtarë

Funksionari më i lartë mes nëpunësve që nuk kanë bërë transparencën e burimit të të ardhurave, është kryetari i Komunës së Dajçit në Qarkun e Lezhës, Rrok Rroku. Zyrtarët e tjerë janë Ismet Peca, përgjegjës sektori, D.P.Tatime, Kukës; Hilmi Rama, përgjegjës zyre, D.P.Tatime, Shkodër; Gëzim Ukperaj, specialist, D.P.Tatime, Kukës; Shpëtim Guxholli, drejtor drejtorie, D.P.Tatime, Korçë. I gjashti në listën e të paditurve në prokurori është ish-shefi i Komisariatit të Kuçovës, Agim Harrizi. Vendimi i ILDKP-së për kallëzimin penal të tyre erdhi në përfundim të procesit të deklarimit të interesave periodike/vjetore, afati i të cilit ishte 31 marsi i vitit 2009. Në mbyllje të këtij afati rezultoi se 27 subjekte nuk e përmbushën në kohë detyrimin ligjor për deklarimin e interesave private. Ndaj tyre, ILDKP, më datë 7 maj vendosi masën administrative “gjobë”, sipas përcaktimeve të parashikuara në ligjin “Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike”. Por nga rakordimet e kryera deri më datën 18 qershor, rezultoi se nga subjektet e gjobitura nuk e kishin dorëzuar ende deklaratën e interesave private zyrtarët e mësipërm.

Advertisement