Tiranë – ILDKP gjobit 18 zyrtarë

14 zyrtarë janë gjobitur me vlerën 100 mijë deri në 200 mijë lekë të reja, kurse rasti i 15-të është në proces zgjidhjeje. Tre zyrtarë duhet të përballen me akuzat në organin e Prokurorisë dhe për një zyrtar çështja është në proces e sipër. Zyra për shtyp e ILDKP bëri me dije se pjesa më e madhe e zyrtarëve, për të cilët është aplikuar masa shtrënguese janë punonjës të administratës doganore dhe tatimore. Zëdhënësi për shtyp në ILDKP, Albi Serani, bëri të ditur se “gjatë dy muajve të fundit, janë dorëzuar në organin e prokurorisë kallëzime penale ndaj 3 zyrtarëve, për të cilët është evidentuar fshehje e pasurisë dhe deklarim i rremë. ILDKP ka aplikuar gjithashtu edhe masën administrative me ”gjobë” për 15 zyrtarë, të cilët nuk kanë shmangur konfliktin e interesave në afatin e përcaktuar dhe sipas parashikimeve ligjore. ILDKP bëri me dije se rastet u arritën të evidentohen në bazë të përmirësimit të teknikave të hetimit administrativ. Aplikimi i gjobës ndaj këtyre zyrtarëve është bërë në përputhje të nenit 44 të ligjit nr.9367, dt.7.4.2005 ”Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike”. Zëdhënësi për shtyp i ILDKP-së tha se “Inspektorati i Lartë ka përmirësuar teknikat e hetimit administrativ, duke siguruar në këtë mënyrë rezultate më të mëdha në parandalimin e konfliktit të interesave dhe në luftën kundër korrupsionit”.

Advertisement