Tiranë | Idrizi: së shpejti bashkohen PDU dhe PDI

Duke folur për deklaratat e Nikolas Geixh, i cili në fshatin minoritar Sofratikë i bëri thirrje monoritetit grek në Shqipëri të bëjnë shumë kujdes me zgjedhjet lokale dhe procesin e regjistrimit të popullsisë mbi bazë etnie dhe përkatësie fetare, kreu i PDU-së theksoi se “Askush nuk i ka thënë këtij njeriu se ai do të vdesë me mentalitetin e kriminelit, që kthehet herë pas here në vendin e krimit. Ky njeri mburret se në Amerikë ka shkruar një libër ku tregon se nënën e vet e kanë vrarë me gjyq partizanët grekë. Atje tregon se është kthyer në Greqi, ka hetuar për urdhëruesin e vrasjes së të ëmës, dhe është lëkundur ta vrasë apo jo. Ky njeri, me mentalitetin e paraardhësve të vet kriminelë, vjen dhe na provokon sot në tokën tonë. Ky njeri guxon dhe të na tregojë ne në tokën tonë, se ne paskemi bashkëpunuar me gjermanët”, tha Idrizi. Duke iu referuar thënieve të Nikolas Gaxojanis, i cili kishte deklaruar se popullsia shqiptare e Çamërisë u përndoq për bashkëpunimin me nazistët dhe për këtë shkak duhet të rreshtohet në 14 milionë bashkëpunëtorët e tjerë të nazizmit, zoti Idrizi bëri me dije se “Ne shqiptarët e Çamërisë dhe unë personalisht, i bëj thirrje Nikola Gaxojanit të shkojë sot në Markat, kur festohet përvjetori i themelimit të Batalionit Çamëria, pjesë e Ushtrisë Antifashiste Nacional-Çlirimtare, ku merrnin pjesë më shumë se 700 shqiptarë nga Çamëria. Nëse nuk shkon dot i errësuar e ngecur nga makthi i fantazmës se Vorio – Epirit, atëherë le të konsultohet me arkivat greke, për Batalionin IV “Ali Demi” të ELAS-it grek, që përmbante 800 çam në rradhët e saj e që luftuan përkrah grekëve në luftën për çlirimin nga nazizmi. Faktet flasin qartë, por Gaxojanis nuk mund t’i shohë ato”, nënvizoi kreu i PDU-së. Ai e krahasoi Nikolas gaxojanis me eurodeputetin Dik Marti, i cili sipas Idrizit fajëson viktimën për krimin e fajtorit “të pafajshëm”. Kryetari i Partisë për Drejtësi e Integrim i bëri sakaq thirrje politikës shqiptare, të mos lejojnë që vendi t’i përulet hijenave të tilla si Gaxojanis e Dik Marti. Duke folur për zgjedhjet vendore, kryetari i Partisë për Drejtësi dhe Unitet tha se kjo parti e çamëve të Shqipërisë do të punojë për një atdhe të fortë. Deklaratat e Kreytarit të PDU-së u bënë gjatë festimit në Tiranë të 20-vjetorit të themelimit të Shoqatës Atdhetare Politike “Çamëria”, ku morën pjesë edhe qindra anëtarë të shoqatës. Gjatë ceremonisë Kryetari i PDU-së Shpëtim Idrizi theksoi se bashkimi me partinë tjetër çame të Tahir Muhedinit ajo për Drejtësi dhe Integrim në një parti të vetme është vetëm çështje ditësh.

Advertisement