Tiranë – Hysi: LSI të votojë pro hapjes së kutive në Kuvend

“Nëse LSI vërtet e mbështet këtë qëndrim të PS, pra hapjen e kutive të materialeve zgjedhore ndërkohë që për fletët e votimit pritet opinioni i Komisionit të Venecias, atëherë le ta mbrojë dhe ta votojë këtë propozim në Kuvend”, tha deputetja socialiste, Vasilika Hysi. Sipas saj është e pakuptueshme përshëndetja e LSI-së, përmes sekretarit të Përgjithshëm Luan Rama, për një propozim që nuk doli sot, por është bërë publik që mot, tha deputetja Hysi. Zonja Hysi tha sakaq se “Qëndrimi i PS-së dhe i kryetarit të saj, për hapjen e kutive të materialeve zgjedhore ndërkohë që për fletët e votimit të pritet opinioni i Komisionit të Venecias, është një qëndrim i përsëritur dhe i shprehur publikisht qysh në vizitën e delegacionit të Këshillit të Europës në Tiranë”. Andaj sipas deputetes Hysi, “I vetmi njeri që ende sot nuk e ka pranuar këtë propozim mbetet Sali Berisha”. Deputetja socialiste garantoi se “Partia Socialiste është e gatshme ta fillojë që sot hetimin e zgjedhjeve nëse komisionit parlamentar hetimor i vihen në dispozicion për hetim kutitë e materialeve zgjedhore, ndërkohë që për fletët e votimit të pritet opinioni i Komisionit të Venecias”. Por, deputetja Vasilika Hysi, ripërsëriti në këtë kontekst se “asgjësimi apo djegia e fletëve të votimit, do të ishte djegia e çdo ure bashkëpunimi përfshirë këtu edhe reformën zgjedhore”.

Advertisement