Tiranë | Hysi: administrata të jetë profesionale dhe në shërbim të qytetarëve

Deputetja e Partisë Socialiste, Vasilika Hysi, reagoi ndaj deklaratës së deputetit të PD-së, Genc Pollo, për spastrimet në administratë. Në një deklaratë për mediat nga selia e PS-së. Hysi tha se “nuk ka shqiptar që të ketë harruar se si ish- Kryeministri i linte nxënësit pa mësim, për t’i nxjerrë bashkë me mësuesit nëpër sheshe për të mbushur mitingjet e pushtetit të mëparshëm. Sikundër nuk ka shqiptar që të ketë harruar kasaphanën që qeveria e kaluar bëri në administrate. Kasaphanë, për të cilën janë të panumërta vendimet gjyqësore. Kasaphanë, për të cilën janë dëshmitarë qindra e mijëra njerëz të larguar nga puna gjatë qeverisjes së Partisë Demokratike”. Dhe si për të rifreskuar memorien e çdo shqiptari, tha Hysi, “ish-Kryeministri Berisha, vetëm një javë më parë në parlament, tha: “Bravo më qoftë që detyroja nëpunësit e shtetit të votonin për mua, duke i kërcënuar me bukën e gojës. Kjo është administrata për të cilën flet Parta Demokratike”? Hysi tha se “Qeveria e Aleancës për Shqipërinë Evropiane është e përkushtuar që administrata të jetë profesionale, në shërbim të qytetarëve dhe larg përkatësive politike. Kjo qeveri që në muajt e parë ka përmbushur premtimin për të rritur rrogat e administratës, falë uljes së taksave për 97% të punonjësve”.

Advertisement