Në Ditën e Dëshmorëve të Atdheut, Krerët më të lartë të shtetit dhe të politikës shqiptare, nderuan me respekt dhe përulje Dëshmorët që ranë për Atdheun. Presidenti, Bujar Nishani, Kryeministri Sali Berisha, Kryeparlamentarja Jozefina Topalli, Kryebashkiaku, Lulzim Basha dhe drejtues të tjerë të lartë të kabinetit qeveritar zhvilluan homazhe në “Varrezat e Dëshmorëve”, duke vendosur kurora me lule në monumentin, “Nënë Shqipëri”. Në përfundim të homazheve, shefi qeverisë, shprehu nderim për Dëshmorët e atdheut të cilët sipas tij me sakrificën e tyre bën të mundur që Shqipëria të jetë e lirë dhe sot të ecë e sigurtë drejt integrimit në Bashkimin Europian. “Çdo shqiptar përulet me nderimin më të madh, para atyre vajza e djemve, burrave e grave që me sakrificat e tyre sublime bënë të mundur që shqiptarët sot t’i nderojnë ata në liri, bënë të mundur që Shqipëria, për të cilën ata luftuan, të jetë sot anëtare e Aleancës më të fuqishme të lirisë së kohërave, bënë të mundur që sot Shqipëria të jetë një vend që ecën e sigurt në rrugën e integrimit europian, bënë të mundur që sot, shqiptarët kudo ku janë të shfrytëzojnë lirinë, pasuritë e saj të pafundme, për të ndërtuar të një sotme dhe të ardhme që meritojnë. Nderi për jetë atyre, nder familjeve të tyre që sot nuk kanë më të dashurit, por që kanë emrin e madh që ata lanë, për veprën e pavdekshme që realizuan,” u shpreh Kryeministri. Nga ana tjetër pas homazheve të zhvilluara në Varrezat e Dëshmorëve, koalicioni “ Aleanca për Shqipërinë Europiane” ka zhvilluar një aktivitet ku ishin të pranishëm përfaqësuesit më të lartë të partive që janë pjesë e këtij koalicioni si dhe dhjetëra veteranë dhe familjarë të Dëshmorëve të Atdheut, ku kanë përkujtuar, 5 Majin, Ditën e Dëshmorëve. Kreu i PS-së, Rama tha se dëshmorët sot ndihen dyfish të tradhtuar pasi sipas tij janë shuar ëndrrat dhe idealet e Luftës Nacional Çlirimtare dhe ëndrrat dhe idealet që nxorën shqiptarët në rrugë për tu ndarë nga regjimi komunist. “Çdo vizitë në varrezat e dëshmorëve është njëkohësisht edhe një vizitë në varrezat e idealeve të tradhëtura nga ata që e sundojnë sot Shqipërinë, si shëmbëlltyra e një tradhëtie të dyfishtë. Në këtë ditë të rëndësishme çdo qytetar gjendet përpara një zgjedhjeje siç ishte ajo e 92-it për të pozicionuar në rrënimin e mëtëjshëm apo në hapjen e një prespektive të re” tha Rama. Ai e ka quajtur bashkimin e të majtëve si një alternative pozitive për të ardhmen. Ndërsa kreu i LS-së, Ilir Meta përsëriti edhe njëherë mesazhin e tij për miratimin e tre ligjeve që kërkohen për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.