Tiranë | Hiqet TVSH për cimenton dhe celikun e HEC-eve

“Qeveria ka firmosur kontrata me kompanitë private, të cilat tashmë tejkalojnë investime prej 3.2 miliardë euro. Kjo përbën natyrisht zhvillimin më pozitiv në fushën e revolucionit industrial të vendit, përbën përpjekjen më të madhe për të shndërruar në vlera për qytetarët pasuritë natyrore të Shqipërisë”, tha kryeministri në mbledhjen e Qeverisë. Ndërkohë, shtoi Kryeministri, “pasuritë kryesore të vendit janë janë ujërat e vendit. Siç dihet më shumë se 2/3 e tyre janë ende të pashfrytëzuara si burime energjitike, ndaj dhe pas krijimit të një gare të ethshme për ndërtimin e HEC-eve në Shqipëri, jemi përpjekur të gjejmë stimujt më të përshtatshëm për të nxitur këto investime. Fatmirësisht ky proces po ecën shumë mirë, pasi deri tani janë ndërtuar nga e para apo rikonstrukturar rreth 70 HEC-e dhe janë në ndërtim e sipër dhjetra të reja”. “Me dy masat e fundit ne ulim në mënyrë shumë të ndjeshme koston e ndërtimit të HEC-eve në Shqipëri, e shndërrojmë Shqipërinë në vendin e ndërtimit të veprave hidrologjike me koston më të ulët. Kjo përbën një inkurajim të fuqishëm të përdorimit të fondeve financiare nga investitorë të fuqishëm. Jemi të vendosur që Shqipëria të ecë drejt zhvillimit të saj në një superfuqi të vërtetë energjetike në rajon”, tha kreu i qeverisë. Sipas Kryeministrit, “përzgjedhja selektive përcaktohet para së gjithash nga domosdoshmëria e krijimit të vendeve të punës në të gjitha zonat e vendit”. “Gjeografia e tyre nga juglindja në verilindje shtrihet pothuajse në tërësi në zonat kodrinore malore të Shqipërisë, shtrihet edhe në zonat më të thella, krijon në këtë mënyrë mundësi punësimi në çdo skaj të vendit”, u shpreh Berisha. Sipas kreut të ekzekutivit, “ky proces i ndërtimit të mbi 443 HEC-eve në të gjitha përmasat është njëkohësisht procesi i urbanizimit të zonave më të thella, më të larta. Po ndërtojmë mijëra kilometra rrugë. Vetëm për HEC-et ndërtohen qindra kilometra të tjera rrugë”. Për ata që kanë alergji ndaj koncesioneve, vijoi kryeministri, “që e bëjnë nga zilia dhe që nxjerrin sllogane të kohës së etërve të tyre shpirtërorë, u them që ujrat që derdhen në detet e vendit derdhen pa ndonjë vlerë. Ndërsa përmes procesit të koncesionit i shndërrojmë ato në vlera për qytetarët shqiptarë”. “Beteja për energjinë është afatgjatë dhe problemi i energjisë është një problem në tërësi askund përfundimisht i zgjidhur sepse kërkesa për të ka një dinamizëm të madh që përcaktohet nga faktorë të tjerë. Duke shumëfishuar prodhimin nga burimet ujorë bëjmë që shqiptarët të mund të furnizohen me energji me kosto më të ulët se gjithë të tjerët”, theksoi Kryeministri Berisha. Ndërkohë, kreu i qeverisë vuri në dukje se “projekti më i madh rajonal dhe i kontinetit është gazjellësi TAP, që është një mundësi tjetër e madhe për Shqipërinë për të qenë një nga prodhuesit kryesorë në rajon të energjisë”. 

Advertisement