Në mbledhjen e djeshme të qeverisë, kryeministri Berisha theksoi se provimi i shtetit do të jetë dixhital, një model i aplikuar me sukses edhe në vende të tjera dhe i rëndësishëm për të shmangur korrupsionin. “Ne nuk mund të vendosim provime të tjera përveç provimit dixhital, që është plotësisht i mundshëm. Modele të tilla ekzistojnë në Shtetet e Bashkuara dhe në vende të tjera. Ne e kemi këtë jetikë për të shmangur korrupsionin. Ndaj, ashtu siç po veprohet me provimet në shkollat e mesme, Ministria e Arsimit dhe Ministritë respektive si Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit për profesionet e inxhinierit, arkitektit, urbanistit etj., duhet të fillojë me seriozitetin më të madh përgatitjet për standardet e provimit të shtetit”, tha Berisha. Kryeministri Berisha tha se ky ligj mbush një boshllëk që ekzistonte në legjislacionin shqiptar dhe është bërë kujdes që të mos cenojë arritjet e deritanishme në heqjen e licencave dhe lejeve të panevojshme.