Zëdhënësja e Bashkisë së Tiranës Anila Bisha, deklaroi sot se, “nga riaktivizimi i këtyre subjekteve, i hapet rruga hipotekimit të 278 apartamenteve, me përftues direkt rreth 1120 qytetarë”. Bashkia e Tiranës vijon të monitorojë hap pas hapi procesin e hipotekimit, duke garantuar se qytetarët e Tiranës nuk mund dhe nuk do të mbeten peng i askujt. Janë në listën e zezë 95 subjekte, por dhe persona fizikë, të cilët nuk kanë përmbushur detyrimet që kanë ndaj qytetarëve të Tiranës”. Pas ndërprerjes së çdo shërbimi që Bashkia ofron ndaj këtyre subjekteve, një pjesë e tyre kanë nisur të riaktivizohen. Nga informacionet e marra nga Agjensia e Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave Informale, bëhet e ditur se 5 subjekte të cilat ishin në listën e zezë të Bashkisë së Tiranës, konkretisht FERRAR sh.p.k, MATRIX KONSTRUKSION, Al & GI, dhe personat fizikë Arben Nuriu dhe Kastriot Bilica janë riaktivizuar, duke paraqitur dokumentet e domosdoshme, për legalizimin e objekteve të ndërtuara prej tyre.