Tiranë | Hillary Clinton më 1 nëntor viziton Tiranën

alt

“Lajmi ka gëzuar shumë të gjithë shqiptarët si dhe përbën ngjarjen më të rëndësishme në kremtimet e 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë”, theksoi Kryeministri me anë të një deklarate për shtyp. Duke i uruar një mirëseardhje të përzemërt Sekretares së Shtetit, Hillary Clinton, në Shqipëri, Kryeministri Berisha thekson se “kjo vizitë është dëshmi e marrëdhënieve të shkëlqyera që ekzistojnë midis dy vendeve dhe kombeve tona, ndjenjave të ngrohta e miqësore dhe respektit që Sekretarja Clinton dhe qeveria e Shteteve të Bashkuara ushqejnë për shqiptarët si dhe mbështetjes së çmuar që i kanë dhënë dhe i japin në mënyrë të vazhdueshme Shqipërisë dhe kombit shqiptar në përpjekjet për ndërtimin e demokracisë, së bazuar në vlerat e tregut”. Kryeministri Berisha nënvizon se “vizita e Sekretares Clinton, në kuadrin e 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, është një nder i madh, por dhe një rast i veçantë për qytetarët dhe autoritetet e vendit tonë, për të shprehur edhe njëherë mirënjohjen më të thellë ndaj mbështetjes së jashtëzakonshme dhe rolit kryesor që SHBA kanë luajtur këto 100 vite në përpjekjet e shqiptarëve për liri, dinjitet kombetar dhe për integrim në institucionet euro-atlantike dhe evropiane”. Zonja Clinton vjen në Tiranë më 1 nëntor, në kuadër të një turi në Algjeri dhe në rajonin e Ballkanit. Siç njofton Departamenti Amerikan i Shtetit, “gjatë vizitës në Tiranë, Sekretarja Clinton do të nxjerrë në pah solidaritetin me Shqipërinë,si aleate në NATO dhe me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë do të mbajë një fjalim në Parlament, ku do të vërë në dukje nevojën kritike për më shumë bashkëpunim politik dhe për sundimin e shtetit ligjor”.

Advertisement