Gjatë mbledhjes Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli tha se kuvendi duhet ta heqë imunitetitn e këtij deputeti ashtu sic bëri edhe për dy deputetët e tjerë Basha dhe Mediu. Vetë Neranxi nuk ka qenë në mbledhje, por ka dërguar në një letër pretendimet e tij. Prokuroria ka depozituar disa javë më parë në kryesinë e Kuvendit kërkesën për heqjen e imunitetit të Neranxit duke e akuzuar për evazion fiskal, akuza këto që janë hedhur poshtë nga deputeti i LSI-së. Hetimet e Prokurorisë zbuluan shkeljet e deputetit Neranxi që besohet të kapin shifrën e rreth 136 milionë lekëve dëm ndaj shtetit shqiptar. Kalimi i mallrave në doganë pa i deklaruar u zbulua fillimisht nga tatimet të cilat i referohen vitit 2004-2005 për abuzime edhe të vetë doganierëve në këtë cështje. Kërkesa e heqjes për imunitet nga Prokuroria e Përgjithshme është e pesta për këtë legjislature dhe motivet janë nga më të ndryshmet. Pas Lulëzim Bashës, Fatmir Mediut janë edhe dy deputetë të tjerë, deputeti Hajrulla Paturri dhe deputeti Andis Harasani. Për këta dy të fundit cështjet janë mbyllur pasi nuk ka patur objekt hetimi.