Tiranë – Haxhiymeri, mesazhi i të majtës mbeti i paqartë

Sipas Haxhiymerit, gabimet në trajtimin e programit qeverisës dhe lënia e kandidatëve nën hijen e kryetarit Edi Rama ndikuan negativisht përkundrejt elektoratit. ”Mënyra se si u prezantua programi i PS, i cili për hir të së vërtetës nuk pati pika të forta goditëse, nuk bëri ndryshim nga programet e partive të tjera; madje pati parti të majta të tjera që prezantuan më fuqishëm disa nga elementët bazë të programeve të tyre”, thekson Haxhiymeri. Sipas saj, “një personalizim i tejskajshëm i fushatës la një shije pasigurie, paqartësie, pse jo krijoi dhe një lloj shtangie, frike në elektoratin e majtë pasi disa nga figurat nuk ishin të njohura dhe nuk u prezantuan në elektorat për të krijuar besimin e duhur”. Ndërkohë po ta krahasosh me grupimin e djathtë atje u punua shumë më shumë për ekipin, thotë Haxhiymeri, duke ilustruar se “pati prezantime, pasprezantime, me emra të përvetshëm, me CV të përvetshme çka e realizoi lidhjen”. Haxhiymeri thotë se lidershipi socialist nuk mori votat e elektoratit të pavendosur për shkak se mesazhi “përtej të majtës dhe të djathtës” mbeti i paqartë dhe nuk arriti të prekë deri te votuesit. “Ideja përtej së majtës dhe të djathtës mbeti në ajër dhe nuk shkoi dot tek grupet konkrete që votonin. Madje ndodhi një paradoks, PS u votua në shumicë nga moshat e pjekura cka do të thotë se pjesën e të rinjve, atyre që shprehin dhe mbrojnë një mentalitet tjetër ne nuk e thithëm dot. Pra, kjo strategji dështoi”, thotë Haxhiymeri. E pyetur mbi të ardhmen e kryesocialistit Edi Rama, sekretarja për Shanset e Barabarta dhe Shoqërinë Civile i referohet statutit: “Nuk jemi në momentin që mundet të shprehemi për këtë. Besoj se statuti i PS e ka të shprehur qartë këtë”. Edlira Haxhiymeri është zyrtarja e parë e lartë në Partinë Socialiste që artikulon publikisht shkaqet që sipas saj ndikuan në humbjen e të majtës. “Mbetem pjesë e partisë. Natyrisht lidershipi është gjithmonë i përkohshëm. Partia është atje, strukturat janë atje. Ajo është pasuri kombëtare”, thotë Haxhiymeri.

Advertisement