Tiranë | Haxhinasto: rishikimi i buxhetit, infrastrukturë bashkëkohore

Ministri i Transportit Edmond Haxhinasto theksoi se me aktin normativ për rishikimin e buxhetit të 2014 garantohet një rritje edhe më e dukshme vitin e ardhshëm duke sjellë një infrastrukturë të standardeve bashkëkohore në Shqipëri.

Haxhinasto tha se “në këtë rishikim të buxhetit, 5.3 miliardë lekë shkojnë për prioritetet e transportit rrugor, ku 4.4 miliard lekë janë fonde për vijueshmërinë e projekteve me intensitet të lartë, si rruga Kukës- Morinë, Plepa – Kavajë- Rrogozhinë, Qafë Thanë- Lin- Pogradec, Ura e Matit, Unaza e re e Tiranës, vijimi i rrugëss së Elbasanit, Rruga e Arbrit, rruga Lushnjë-Berat, Porto Romano- Durrës, Qukës- Qafë Plloç dhe shumë segmente të tjera”. Sipas tij, mirëmbajtja e rrugëve përbën një nga prioritetet kryesore të qeverisë. “Janë 636 milionë lekë në zërin e mirëmbajtjes, duke sjellë ndryshime të dukshme, evidente në cilësinë e infrastrukturës dhe veçanrëisht në shërbimin që u ofrohet përdoruesve të rrugës”, shtoi Haxhinasto. Objektiv tjetër i rëndësishëm, vijoi ai, eshtë jo vetëm përfundimi i veprave, por edhe sjellja e tyre ne standard, sepse ne realitetin tonë shumë nga veprat janë larg standardit të duhur që garanton cilësinë e shërbimit të nevojshëm. Lidhur me sinjalistikën rrugore, Haxhinasto tha se “sinjalistika rrugore ka ndryshuar koncept e nuk është më në konceptin e kaluar si një zbukurim i rrugës, por element themelor i tij”. “Ky rialokim do të krijojë mundësinë për të bërë studimin për zgjidhjen përfundimtare të problemeve që kemi në 105 pika të zeza, nyje të rrezikshme të infrastrukturës së vendit, gjë që do të rrisë më shumë trendin pozitiv që kemi në reduktimin e aksidenteve rrugore”, tha Haxhinasto.

Advertisement