Tiranë | Haxhinasto prezanton prioritetet e METE: vendet e reja të punës dhe rritja ekonomike

“Ne do të ndjekim politikat e nevojshme me impakt në përmirësimin e klimës së biznesit, në inkurajimin e eksporteve shqiptare, rritjen ekonomike të vendit dhe hapjen e vendeve të reja të punës”, deklaroi Haxhinasto gjatë një konference për shtyp të mbajtur të mërkurën. METE, sipas Haxhinastos, shumë shpejt do të prezantojë një paketë reformash strukturore që synojnë nxitjen e investimeve të huaja dhe ofrimin e garancive për investitorët, ku një vëmendje e veçantë do t’i kushtohet mbështetjes dhe nxitjes së investimeve në sektorin e energjisë së rinovueshme dhe në atë minerar. “Reformat në sektorin e energjisë së rinovueshme synojnë liberalizimin e tregut, nxitjen e investimeve, diversifikimin e burimeve, një sistem fiskal nxitës për këtë aktivitet, rritje të konkurencës dhe integim rajonal në sektorin e energjisë”, theksoi Haxhinasto. Duke vlerësuar projektin e TAP-it si mjaft të rëndësishëm, Haxhinasto tha se po punohet me intensitet për të arritur marrëveshjen me vendet nga ku kalon TAP-i. Ai pohoi se rritja e konkurueshmërisë së prodhimeve të vendit është në rrugë të mbarë, ndërsa mori angazhimin për të ndërmarrë një rol aktiv për promovimin dhe mbrojtjen e tyre. “Do të bëjmë të mundur identifikimin dhe promovimin e vendeve atraktive për investime të huaja”, tha Haxhinasto ndërsa shtoi se investimet e huaja në vend llogariten rreth 1 miliard euro dhe se reformat kanë qënë në rrugë të drejtë.

Advertisement