Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Ekonomisë, Edmond Haxhinasto takoi sot ambasadoren e Republikës së Çekisë, znj. Bronislava Tomasova. Haxhinasto shprehu vlerësimin më pozitiv për marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Republikës së Çekisë si dhe angazhimin e plotë për zhvillimin e mëtejshëm të tyre në fushën ekonomike. Ministri Haxhinasto theksoi se duhen ndarë qartë marrëdhëniet shumë të mira politike mes dy vendeve me problematikën e një natyre komerciale që shoqëria CEZ Shpërndarje ka në tregun e energjisë. “Çdo thirrje për t’i përzier këto dy problematika është e dëmshme dhe nuk i shërben askujt”, tha ai. Ministri theksoi se motivimi për privatizimin e sektorit jetik të shpërndarjes nga një kompani çeke ka qenë i bazuar në dëshirën për të patur një performancë të lartë të standardeve evropiane në këtë sektor dhe jo për të krijuar një problem që ka ardhur nga keqmenaxhimi i kësaj kompanie. “Problemi i shoqërisë CEZ Shpërndarje, tha ministri Haxhinasto, është një problem i karakterit komercial, lindur nga mospërmbushja prej saj i detyrimeve kontraktuale dhe ato që rrjedhin nga kuadri ligjor e rregullator në vend.” Haxhinasto theksoi se anëtarësimi i Shqipërisë në BE synon përsosjen e standardeve të tregut të lirë dhe kuadrit rregullator dhe jo përkeqësimin e tyre. Ai gjithashtu nënvizoi se tregu shqiptar është shumë i përshtatshëm për të tërhequr investimet e huaja në vend.