Me ambasadorin spanjoll Haxhinasto vlerësoi bashkëpunimin e ngushtë dhe mbështetjen për liberalizimin e vizave dhe integrimin evropian të Shqipërisë, duke i kërkuar nga ana tjetër, që Spanja të rivlerësojë qëndrimin e saj për njohjen e pavarësisë së Kosovës. Ndërsa në takimin me ambasadoren gjermane, Haxhinasto dhe Holtkemper çmuan marrëdhëniet e shkëlqyera politike mes Shqipërisë dhe Gjermanisë, e u shprehën se bashkëpunimi ekonomik po shkon drejt një partneriteti strategjik, veçanërisht në fushat e energjisë dhe të infrastrukturës. Gjithashtu Haxhinasto e cilësoi Gjermaninë si një avokate në mbështetje të liberalizimit të vizave dhe integrimit evropian. Ndërsa, gjatë takimit me ambasadorin e Palestinës, Haxhinasto shprehu mbështetjen e Shqipërisë për bisedimet në Lindjen e Mesme dhe për një zgjidhje që do të çojë në ekzistencën e dy shteteve. Në këtë kuadër, ai u shpreh se Shqipëria qëndron pas përpjekjeve të Komunitetit Ndërkombëtar për krijimin e Shtetit të Palestinës përkrah atij të Izraelit dhe për anëtarësimin e tij në OKB.